RSS

Të gjithë librat e botuar ndonjëherë do të hudhen në internet

Gjigandi i botës kompjuterike Google, ka në plan që të skanojë të gjithë librat që qarkullojnë në glob, dhe t’i ofrojë ato përmes faqes së vet në internet.

Kjo iniciativë mund të sjellë një qasje të pa hasur më parë në koleksionin e diturisë së pafund njerëzore, por ka krijuar kundërthënie të mëdha për sa i përket faktit, se kush do të përfitojë nga ky projekt. Projekti i ndërmarrë nga Google ka ngjallur kritika mes akademikëve, autorëve dhe kompanive rivale të teknologjisë së lartë, disa prej të cilave kanë kryer padi gjyqësore për ta ndalur këtë projekt, ose për ta modifikuar atë.

Një kamion që i përket kompaninës Google, ka ndaluar përpara librarisë së Universitetit të Stanfordit pranë San Franciskos , pak përpara orës 9 të mëngjesit. Ai është i mbushur me libra që kompania Google i mori dhe tani po i kthen, mbasi i skanoi, e kështu ato tashmë mund të hyjnë në sistemin e kompjuterave. Mbasi kamioni boshatiset, punonjësit e librarisë, e rimbushin me libra të tjerë, të cilat gjithashtu do të dixhitalizohen.
Drejtori i kompanisë për sektorin e librave, Daniel Klansi thotë se pikësynimi është që të skanohen deri në 40 milionë libra.
“Google ka si qëllim që të organizojë të gjithë informacionin e botës”.
Përveç Stanfordit, edhe Universiteti i Kalifornisë në Bërkli, dhe Universiteti i Miçiganit kanë nënshkruar marrëveshje që e autorizojnë kompaninë Google të skanojë librat e tyre.
Punonjësi i bibliotekës së Stanfordit, Majkell Keller thotë kjo iniciativë rizgjon interesin e lexuesit për libra të harruar.
“Ajo që ndodh kur librat dixhitalizohen dhe bëhen të lexueshme në rrjet, është se ata bëhen më të përdorshëm. Është llogaritur se librat mundtë përdoren tani 10 herë më shumë se më parë”.
Avokati Geri Rebak përfaqëson Aleancën e Librit të Hapur, ku përfshihen kompanitë Mikrosoft dhe Amazon.com. Ai thekson se ndonëse Google, mund të mos vendosë fillimisht pagesa për qasjen online në librat e dixhitalizuar, do të vendosë patjetër më vonë, pagesa të shtrenjta për përdorimin e bibliotekave online.
“Nuk është librari publike, ësht librari private. Dhe është krijuar për të përfituar, madje shumë. Google do të vendosë tarifat e pagesës në universitete, tek njerëzit e thjeshtë, madje pagesë do të duhet dhe nga fëmijët që do të duan të lexojnë librat përmes Google”.
Dixhitalizimi i librave bashkëkohorë, ku e drejta e autorit njihet, nuk sjell debate. Madje as dixhitalizimi i librave të vjetër, për të cilët e drejta e publikimit ka skaduar.
Problemet janë të mëdha me dixhitalizmin e librave që quhen “jetimë” pasi ata janë shtypur, janë ende nën të drejtën e autorit, por nuk njihen personat që kanë të drejtën e publikimit. Shitja e kopjeve dixhitale të këtyre librave mund të jetë fitimprurëse, por pyetja që shtrohet është se kush do të përfitojë nga shitja e këtyre librave.
Google këmbëngul që ky projekt është më i madh se përfitimi në të ardhura.
“Google shpreson që të përfitojë nga kyprojekt duke përmirësuar shërbimin e kërkimit në internet. Ne presim që të fitojmë para nga shitja e librave, por motive kryesor nuk është fitimi.”

Ndërkaq, Google vazhdon të skanojë librat e bibliotekave që shkarkohen nga kamionat e mbushur me to. Seanca dëgjimore për çështjet ligjore që përfshihen në këtë projekt, është në plan të zhvillohet përpara një jurie federale në muajin shkurt. (Zeri i Amerikes)

, ,