RSS

Shqipëri, këtë rradhë bëhu thjesht “cinike”

10.10.2008

Sport

“Këto janë ndeshjet që bëjnë hapin e madh përpara”. Nevoja për pikë dhe e shkuara rëndon mbi skuadrën.

11 futbollistët kuqezinj që do të zbresin në fushën e lojës nesër në mbrëmje në stadiumin “Ferenc Pushkash” të Budapestit janë të bindur se, nëse arrijnë fitore, e në rastin më minimal, një barazim, do të bindin një popull të tërë, që Shqipëria përfundimisht është një skuadër e vazhdueshëmrisë, e cila nuk mbetet te rezultat sporadike. Megjithëse nuk e njeh të shkuarën kuqezi, trajneri Han e di mirë se një skuadër që është konsideruar gjithnjë e vogël vihet në presion përpara sfidave të tilla. “Sigurisht që një skuadër e nivelit tonë i vuan të tilla ndeshje – mësohet tu ketë thënë bashkëpunëtorëve Han – megjithatë unë kam besim se lojtarët nuk do të impresionohen as nga kundërshtari e as nga fakti që luajmë si të parët e grupit. Madje përkundrazi mendoj se diçka e tillë duhet të vërë Hungarinë në presion”.

Futbollistët – megjithëse opinioni publik flet sistematikisht për një Shqipëri që mund të shkojë në botëror, për futbollistët kjo duket ende një ëndërr e largët. “Ne gjithnjë ëndërrojmë dhe më pas kur nuk shkojmë aty ku na takon akuzojmë përfaqësuesen – thotë Skela – duhet të kuptojmë që e shkuara vret. Ne nuk mendojmë për dështimet e mëparshme kur futemi në fushën e lojës, megjithatë ka skuadra të mëdha dhe skuadra të vogla, dhe nuk hyjmë te skuadrat më të mëdha të Botës. Nuk dua të demoralizoja askënd thjesht dua tu them të gjithëve që kjo ndeshje ka tri rezultate. Unë personalisht mendoj se nuk bëhet fjalë për të bërë një hap të madh përpara. Duhet të luajmë njësoj sikundër Suedisë, me të njëjtin përqëndrim në mbrojtje dhe shpejtësi përpara dhe kështu mund të bëjmë diçka më pozitive”.

Shpresa për Beqirin – Skuadra përfaqësuese shqiptare ka shumë shanse që të luajë me Beqirin në mbrojtje. Dje lojtari është parë në një gjendje shumë më të mirë dhe pritet që të jetë në fushë nga minuta e parë në ndeshjen kundër skuadrës hungareze.

Salihi nuk “bëhet” – Hamdi Salihi nuk do të luajë në ndeshjen e parë kundër Hugnarisë. Futbollisti nuk është sërvitur as dje dhe kështu nuk do të jetë i disponueshëm për teknikun Han në sfidën e së shtunës. Nuk dihet ende nëse do të rekuperojë apo jo kundër skuadrës portugeze.

Stërvitja zyrtare – Sot përfaqësuesja shqiptare pritet të zhvillojë një seancë stërvitore në orët e mbrëmjes në stadiumin “Ferenc Pushkash” ku do të zhvillohet ndeshja. Në 18:30 trajneri Han do të ketë edhe një konferencë për shtyp. /Sport Ekspres/

, ,