RSS

SHBA: Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit shqyrton sot planin për nxjerrjen e financave nga kriza

29.09.2008

Biznes & Ekonomi

Shumica e demokratëve në Kongres shpresojnë që marrëveshja e arritur me Administratën Bush për nxjerrjen nga kriza të institucioneve financiare të vendit të miratohet shpejt. Ligjvënësit nga të dy partitë politike amerikane u takuan përsëri mbrëmë vonë për të shqyrtuar hollësitë e ligjit që do t’i parashtrohet për votim Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit këtë javë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Kongres, Dan Robinson, na informon se miratimi varet në se ligji do të mbështetet nga numri i duhur i republikanëve në Dhomën së Përfaqësuesve, gjë që nuk është e sigurt.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nenci Pelosi, thotë se plani do të hidhet për votim sot. Plani parashikon që qeveria të shpenzojë 700 miliardë dollarë për të blerë aksionet e çvleftësuara të mbështetura nga huata e shtëpive dhe pasuri të tjera të firmave financiare me probleme të vështira.

Megjithatë, Kongresi do t’i japë fondet me faza: 250 miliard dollarë menjëherë, 100 miliard pasi ligji të firmoset nga Presidenti Bush dhe 350 miliard dollarë kur ligjvënësit ta miratojnë atë përfundimisht.

Krahas kësaj, një bord mbikqyrës, ku do të bëjë pjesë edhe Kryetari i Rezervës Federale, banka qendore amerikane, do të mbajë nën kontroll procesin dhe do t’i raportojë Kongresit. Do të merren gjithashtu masa për të parandaluar që amerikanët të humbasin shtëpitë dhe taksapaguesit të kenë pjesën e tyre në fitimet e firmave financiare.

Plani cakton kufij për pagat e ekzekutivëve të firmave që do të përfitojnë nga plani, një pikë kritike kjo, pasi shumë zgjedhës u janë drejtuar përfaqësuesve të tyre dhe kanë shprehur pakënaqësinë për pagat shumëmilionëshe për drejtuesit e korporatave.

Ndërsa ligjvënësit u mblodhën për të shqyrtuar këtë pikë dhe të tjera të këtij plani dje, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nenci Pelosi, bëri këtë deklaratë për gazetarët:

“Festa ka marrë fund. Epoka e parashutave të arta për fluturimet e ekzekutivëve të Uoll Stritit ka marrë fund. Taksapaguesit nuk do të jenë më ata që do të shpëtojnë pakujdesitë e theksuara të Uoll Stritit. Dhe kjo është lajmi i ri që përmban ky ligj”.

Ndër elementët e tjerë të planit përfshihet edhe mekanizmi i taksimit nga qeveria të kompanive që përfitojnë nga ky plan, por nëse dalin me humbje pas pesë vjetësh, një përpjekje tjetër kjo për të mbuluar humbjet.

Ndërkohë që duket se shumica e senatorëve republikanë do ta mbështesin ligjin, Senatori republikan Xhad Greg tha se shpreson që tregjet e kredive në Shtetet e Bashkuara do të ragojnë pozitivisht ndaj këtij lajmi.

“Ne i kemi dhënë Sekretarit të Thesarit autoritetin dhe burimet, si dhe hapësirën e nevojshme, që ai mendon se janë të domosdoshme. Natyrisht, ai është personi që do të marrë vendimet, me shpresë që të jetë në gjendje të veprojë dhe të stabilizojë tregjet e kredive dhe t’i çbllokojë ato”.

Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve për planin është tejet i rëndësishëm, pasi ishte ajo që protestoi fillimisht fuqishëm ndaj propozimit të administratës dhe nguli këmbë për një sërë çështjesh të rëndësishme.

Duke theksuar se përgjegjësia e Kongresit është të parandalojë që situatat e vështira të përkeqësohen, udhëheqësi i shumicës në Senat, Heri Rid, tha se mosveprimi në këto momente do të paralizonte gjithë ekonominë e Shteteve të Bashkuara.

“Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve do t’ia praqesë sot projekt-ligjin asaj dhe shpresojmë që ai të miratohet edhe këtu në Senat. Le të shohim se çfarë mbështetje do të kemi nga anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve”.

Republikanët kanë shprehur pakënaqësi me shumën e parashikuar në plan, ndërsa të tjerë kanë thënë se demokratët u përpoqën t’i mbanin larg procesit të negociatave.

Pas debateve intensive në një takim tri orësh të grupit republikan, udhëheqësi i pakicës, Xhon Boner, tha se rreziku që përbën kjo shumë për taksapaguesit është zvogëluar. Ai tha se sëbashku me udhëheqës të tjerë të partisë së tij e kanë bërë të qartë se do ta mbështesin planin, por nuk mund të thoshte se sa republikanë do të votojnë për të.

“Unë po inkurajoj çdo anëtar të grupit tonë që ta mbështesin me bindje këtë projektligj”.

Sekretari amerikan i Thesarit, Heri Polson, i cili doli në konferencë shtypi sëbashku me udhëheqësit e Kongresit dje herët në mëngjes, shprehu shpresën se plani do të ndihmojë stabilizimin e tregjeve.

“Ne e filluam punën me një detyrë shumë të rëndësishme, për të stabilizuar tregjet, për të mbrojtur të gjithë amerikanët, duke e bërë këtë në një mënyrë që do t’i mbrojë taksapaguesit në maksimumin e mundshëm”.

Në një deklartë me shkrim dje, Presidenti Bush tha se ligjbënësit kanë përpara një detytë të vështirë, por mosveprimi do të ishte shkatërrimtar për ekonominë amerikane. Presidenti pritet të mbajë një fjalim sot në televizion, para hapjes së tregjeve financiare.

Edhe të dy kandidatët për President të Shteteve të Bashkura, republikani Xhon Mekein dhe demokrati, Barak Obama, shprehën paraprakisht mbështetje për planin, që është ndërhyrja më e madhe në histori, për të nxjerrë tregjet financiare nga kriza.

autor:

Den Robinson
Zëri i Amerikës, Uashington

, , , ,