RSS

Projektohen super-premio për lojtarët e Kombëtares

21.10.2008

Sport

Federata Shqiptare e Futbollit po projekton një shpërblim marramendës për futbollistët e Kombëtares shqiptare, i cili mund të arrijë deri në shumën e 15 mijë eurove për kokë.

Kjo shumë e madhe parash do të vihet në dispozicion në formë pakete, jo vetëm për barazimin e marrë kundër Portugalisë, por në të do të përfshihen edhe dy ndeshjet e ardhshme, kundër Maltës në transfertë më 11 shkurt dhe për ndeshjen ndaj Hungarisë, që do të luhet në Shqipëri më 28 mars. Fillimisht drejtuesit e FSHF-së menduan të shpërblenin me 3 mijë euro për kokë kuqezinjtë pas atij barazim historik që morën ndaj Portugalisë në transfertë të mërkurën e kaluar.

Teksa pritej që ky propozim të miratohej nga Komiteti Ekzekutiv, burime zyrtare pranë FSHF-së, bënë të ditur për “Panorama”, se gjatë orëve të fundit është hedhur ideja për shpërblime në formë pakete, ku të përfshihen edhe dy ndeshjet e radhës së kuqezinjve. Qëllimi i Federatës në këtë rast, është që të motivojë sa më shumë lojtarët kuqezi për dy ndeshjet e radhës, të cilat do të jenë vendimtare për sa i përket ecurisë në skuadrës tonë kombëtare në këto eliminatore.

Shuma prej 15 mijë euro për kokë, që pritet të propozohet nesër në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv, është padyshim shumë motivuese për lojtarët, megjithëse edhe ky propozim ka disa anë negative. Propozimi për shpërblimet në formë pakete, mund të mos pritet mirë nga vetë lojtarët, të cilët fillimisht do të donin që të merrnin në dorë paratë për barazimin ndaj Portugalisë.

Fakti që marrja e tre mijë eurove për pikën e marrë në Bragë, tani do të jenë edhe në varësi të rezultateve të dy ndeshjeve të radhës mund të mos u pëlqejë shumë lojtarëve. Gjithsesi, ideja më e fundit që qarkullon në korridoret e institucionit të futbollit shqiptar, duket një gjetje e mirë. Edicionin e kaluar lojtarët kanë marrë nga tre mijë euro për fitoret dhe nga dy mijë euro për barazimet jashtë fushe, ndërsa për fitoret brenda fushës merrnin dy mijë euro dhe një mijë euro për barazimet.

Duke bërë një llogari të thjeshtë, nëse lojtarët e Kombëtares arrijnë të marrin pikë të plota në dy ndeshjet e radhës, atëherë shuma shkon në pesë mijë euro dhe nëse llogaritet edhe shpërblimi për barazimin me Portugalinë, atëherë kuqezinjtë përfitojnë nga tetë mijë euro për kokë.

Për t’i motivuar sa më shumë lojtarët, Federata po mendon që ta dyfishojë shumën e shpërblimeve në adresë të lojtarëve. /Panorama/

,