RSS

Olsen, “spiuni” kuqezi për Hungarinë

26.09.2008

Sport

Ari Han bën gjithçka për të marrë rezultate në aventurën e tij me Shqipërinë. Për të mësuar më shumë rreth kundërshtarëve në Grupin 1 eliminator të Kupës së Botës 2010, tekniku kuqezi përdor edhe… kundërshtarët.

“Spiuni” më i fundit i rekrutuar është Morten Olsen, trajneri i Kombëtares së Danimarkës. Han shfrytëzoi konferencën e trajnerëve të vendeve që janë anëtarë të UEFA-s për të mësuar më shumë rreth rivalit të radhës, Hungarisë.

Në mbledhjen treditore të zhvilluar në mes të këtij muaji në Austri, holandezi grumbulloi të dhëna për skuadrën me të cilën do të ndeshemi më 11 tetor në stadiumin e Budapestit “Ferenc Pushkash”.

E kush më mirë se një njohës i vjetër i futbollit si Olsen, që mbi të gjitha ka luajtur kundër hungarezëve në këto eliminatore (takimi i 6 shtatorit përfundoi në barazim 0-0), mund ta furnizonte me informacionet që dëshironte.

Informacionet

Për të mësuar rreth Hungarisë, trajneri Ari Han kishte dërguar djalin e tij (Advinin), që t’i vëzhgonte në ndeshjen e 10 shtatorit në Suedi.

Megjithatë, duket se kjo nuk ka mjaftuar, pasi “tulipani” ka kërkuar edhe opinionet e një specialisti si Morten Olsen. “Në konferencën e trajnerëve të organizuar nga UEFA për drejtuesit e stolave të përfaqësueseve evropiane, trajneri Han u takua me Morten Olsen, teknikun e Danimarkës”, pohuan burime pranë holandezit.

“Edhe pse danezët janë kundërshtarë në grup, kjo nuk e ndaloi Hanin që t’i kërkonte kolegut të tij informacione rreth Hungarisë, kundërshtarit tonë të radhës në eliminatore, skuadër me të cilën Olsen u ndesh në fillim të shtatorit.

Ata biseduan gjatë, edhe pse detajet dhe informacionet që u shkëmbyen mbeten vetëm konfidenciale”. Pohime që tregojnë qartë se kreu i stolit kuqezi po përdor të gjitha burimet e mundshme për të shmangur një rezultat negativ në Budapest.

Kjo edhe sepse katër ditë më pas, Shqipëria luan në fushën e Portugalisë dhe dy humbje radhazi do të ndikonin negativisht në moralin e skuadrës.

Kundërshtari

Hungarezët janë rivalët direkt të Shqipërisë në garën për vendin e katërt në grup, por edhe një skuadër për t’u pasur frikë.

Edhe për faktin se stërviten nga një tjetër trajner holandez, si Ervin Kuman.

Aty nuk mungojnë as yjet, ku mesfusha është reparti më i spikatur me emra si Gera (Fullhem), Dardai (Herta e Berlinit), Huszti (Hanover), Hajnal (Borusia e Dortmundit) apo edhe Vadocz (Osasuna) e Xhsuxhsak (PSV Eind’hoven).

Në dy ndeshjet e para kanë grumbulluar vetëm 1 pikë: barazim në shtëpi me Danimarkën dhe humbje 2-1 në fushën e Suedisë, por loja e mirë nuk ka munguar. /Top Channel/