RSS

Milan mposht kampionët

29.09.2008

Sport

Derby Della Madonnina ndërmjet Milanit dhe Interit, i zhvilluar të dielën në San Siro, i ka takuar skuadrës kuqezi.

Edhe pse Rosonerët arritën të shënojnë vetëm një gol, ata ishin shumë më të mirë në ndeshje sesa kundërshtari i tyre Inter, duke bërë që strategjia e Ancelottit të sundojë mbi taktikën e atij që konsiderohet si njëri nga trajnerët më të mirë në botë, Jose Mourinho.

Milan e filloi ndeshjen me treshen braziliane në sulm Kaka, Ronaldinho dhe Pato e cila doli të jetë e suksesshme përballë mbrojtjes zikaltër.

Transferi i shumëfolur i Milanit, braziliani Ronaldinho tregoi se ende në të gjendet lojtari më i mirë në botë, duke mos harruar edhe lojtarët tjerë të Milanit të cilët ishin perfekt gjatë gjithë ndeshjes.
Nga an tjetër zikaltrit dështuan plotësisht duke mos qenë aspak rrezik serioz për portën e Abbiattit, i cili arriti të shmang edhe disa kërcënime të vogla për portën e tij. Nga lojtarët e Interit një notë e madhe shkon për portierin Julio Cesar i cili ka qenë i mrekullueshëm gjatë gjithë ndeshjes, si edhe rumuni Chivu.

Zlatan Ibrahimovic dështoi plotësisht para qendërmbrojtjes veterane të Rossonerëve, të përbërë nga Maldini dhe Kaldze.

Goli i vetëm në ndeshje u shënua në pjesën e parë (37’), nga Ronaldo De Assis Moreira- Ronaldinho, i cili pas një aksioni të krijuar nga vetë ai, pasoi te Kaka dhe lëvizi menjëherë në gjashtëmbëdhjetëmetërsh, duke kërcyer më së larti dhe me kokë e gjuajti topin në këndin e portës ku nuk mund të arrinte Cesar.
Pas kësaj fitoreje, Milan ngjitet në kuotën e 9 pikëve aq sa ka edhe Juventusi, ndërsa Inter mbetet me 10 pikë në vendin e katërt, dy pikë më pak se Lazio që gjendet në pozitën e parë pas javës së pestë.  /Telegrafi/

, , , ,