RSS

Kush e shpiku Facebook-un, websiti-n prej 15 miliard dollaresh

Është një përrallë e jashtëza konshme biznesi, që ka ngjallur vazhdimisht zilinë e të gjithëve. Personazhi kryesor është një student i Harvardit, që krijon një uebsajt për të zbavitur shokët e klasës, në mënyrë që ata të mund të shkëmbenin me njëritjetrin shënime, foto dhe informacione të ndryshme.

Në këtë mënyrë, nga një grup të rinjsh fillestarë, rrjeti u zgjerua vazhdimisht me të tjerë dhe erdhi e u bë gjithnjë e më i madh, duke përfshitë shumë njerëz që tashmë nuk i përkisnin vetëm botës së arsimit, por edhe asaj të korporatave e biznesit.

Dy vjet pas këtij fillimi, miliona njerëz në botë u bënë pjesë e një aventure shumë interesante e përfshirëse me emrin “Facebook”. Sot, vlera në treg e sajtit është 15 miliardë dollarë dhe në të kanë hapur “llogaritë” e tyre mbi 150 milionë persona.

Për sa i përket djaloshit që e shpiku, Mark Zuckerberg, ai gëzon një post shumë të nderuar në listën e njerëzve më të pasur të planetit sipas revistës “Forbes”. Sigurisht që ky është një fat aspak i keq për një djalosh kolegji, që e nisi gjithçka nga hiçi. Por përveç gjenialitetit të Markut, cili është sekreti i popullaritetit të “Facebook”? Ata që vënë në dyshim vlerën që uebsajti ka për njerëzimin, zakonisht bëjnë pyetjen “epo mirë, çfarë na bëka të veçantë ky ‘Facebook’”? T’i përgjigjesh kësaj pyetjeje siç duhet, është shumë e vështirë. Një nga përgjigjet është se “Facebook” ka bërë bashkë shumë njerëz, pas shumë kohësh, na ka lidhur me shokë e miq të vjetër shkolle e fëmijërie, duke na dhuruar kështu kënaqësi e nostalgji që nuk mund t’i imagjinonim më parë. Sa më shumë që hapemi, aq më shumë njerëz e jetë njohim. Të shkarkosh fotografi, të dërgosh mesazhe, të luash, të bisedosh apo të shkarkosh muzikë, janë të gjitha gjëra që sigurisht mund t’i bësh edhe në uebsajte të tjera, por askush më parë nuk i bëri bashkë të gjitha këto funksione, e për më tepër në mënyrë kaq të këndshme e të lehtë.

Për më tepër, fenomeni “Facebook” nuk është një fenomen që i përket një kontinenti, apo një kulture të vetme, për shembull asaj perëndimore. Nuk mendohej kurrë më parë që ndër përdoruesit më të zjarrtë të këtij uebsajti do të ishin edhe vende si Kuba, Australia, apo Shqipëria. Por rritja e tij marramendëse nuk ishte pa pengesa.
Kështu, shokë apo miq të Markut kanë pasur shumë pretendime për patentën e shpikjes, duke e hedhur atë në gjyqe pa fund. Më pas vijnë problemet me kompanitë e mëdha, shumë prej të cilave e kanë bllokuar uebsajtin, për shkak të kohës jashtëzakonisht të madhe që i kushtojnë atij punonjësit.
Por çështja më e rëndësishme ka të bëjë me privatësinë. “Facebook” ngulmon që njerëzit të përdorin emrin e tyre të vërtetë kur krijojnë llogaritë, në vend të një pseudonimi. Të gjithë ata që përdorin pseudonime nuk kanë shans të hapin llogari e për më tepër të gjithë tregojnë thuajse gjithçka për veten, duke filluar nga të dhënat anagrafike deri te hobitë apo preferenca të tjera. Për sa i përket vlerës së “Facebook” si kompani, ajo është tërësisht e lidhur me aftësinë për të kapur reklama në sajdbar-in e sajtit. Edhe pse ne na jepet jo si një reklamim i mirëfilltë, por si një zbavitje në lidhje me preferenca të ndryshme që mund të kemi, në fakt bëhet fjalë për reklama që kanë një vlerë në të holla. Ka pasur raste kur manovra të caktuara të “Facebook”, për shembull futja e një sistemi të quajtur Bacon, i cili mblidhte dhe përpunonte të gjitha të dhënat personale të personave, kanë shkaktuar shumë kundërshti. Disa herë vetë, Mark
Zuckerberg e ka kuptuar se ka shkuar tepër larg në shkeljen e ligjeve të privatësisë, duke kërkuar madje edhe të falur çka është shoqëruar me një rishikim të të gjithë sistemit.

Ndryshimi i fundit i paraqitjes grafike të FB kishte për qëllim që t’ia përshtaste atë ndryshimeve dhe shijeve më të fundit të njerëzve, por doli se ky ndryshim nuk ishte shumë i suksesshëm dhe që nga ky moment, Marku nisi të mendonte se ndoshta fati i mirë dhe suksesi që e kishin shoqëruar nuk do të ishin të përjetshëm, për më tepër që të tjerë, me idetë e tij dhe sigurisht edhe me ide të reja novatore, po hapnin uebsajte konkurrente. “Friends Reunited
(”Miqtë e Bashkuar”) krijuan një interesim shumë të madh në vitin 2001, pasi shumë njerëz nisën që ta preferonin. Sot, tetë vjet më vonë, ai është thuajse i harruar dhe djemtë që e themeluan dikur janë në kërkim të vazhdueshëm e të dëshpëruar të ndihmës e reklamave për ta mbajtur gjallë. Periudha e bumit për këtë uebsajt ishte viti 2003, por sot ajo kohë ka perënduar njëherë e përgjithmonë. “MySpace”, e blerë nga Rupert Murdoch në vitin 2005, e gjeti veten në pozicion jo fort të mirë vitin e kaluar nga avancimi i “Facebook” që u shndërrua në websitin social më popullor në planet.

Përkohshmëria është karakteristikë e jetës dhe e biznesit si pjesë e saj çka do të thotë se edhe uebsajte të tilla përjetojnë momente suksesi që pasohen nga momente harrese, siç ndodh me lokale, kafene apo restorante që dikur i
frekuentojmë shumë e më pas i braktisim për të tjera.

Ndryshimi vjen kur ngopemi, apo kur mërzitemi me diçka. Për sa i përket “Facebook”, ai mund të ndihet vërtet i kërcënuar nga një shërbim mikroblogjesh me emrin “Twitter“, që gjatë muajve të fundit i ka marrë FB jo pak nga vëmendja e klientëve të tij të rregullt. “Twitter” është shumë më i thjeshtë se “Facebook” dhe për mesazhet ofron vetëm një limit prej 140 germash. Pritet që beteja e vërtetë për të qenë gjithmonë i pari dhe në majë të suksesit të zhvillohet në lidhje me shtimin e mënyrave të komunikimit dhe të pajisjeve të ndryshme të komunikimit.

Si “Facebook”, ashtu edhe “My Space” janë krijuar për t’u përdorur nga kompjuteri dhe deri tani ka pak versione që i përshtaten celularëve, por edhe ato që ekzistojnë nuk kanë numrin e opsioneve që ofron kompjuteri. Për sa i përket pronarit të “Facebook”, ai thotë se për momentin nuk i intereson shumë ana e financiare e biznesit të tij, se sa përsosja dhe përditimi i tij me opsione të reja komunikimi dhe se gjithë investimi që ai po bën aktualisht, gjithmonë sipas tij, do t’i japë frytet e veta vetëm pas tre vitesh. Nga kjo duket që Mark ka shumë besim në ecurinë e mbarë të gjërave.

Por a e kupton ai vërtet se çfarë është duke bërë?

Ky artikull është huazuar nga Welcome Albania.

www.welcomealbania.com/wablog/2009/02/09/kush-e-shpiku-facebook-un-websiti-n-prej-15-miliard-dollaresh/#more-1678

, , , ,