RSS

Kur bota do të ketë 7 miliardë banor?!


Bota numeron seshpejti 7 miliard banorFundi është afër. Pas tre vjetësh, në Tokë do të jetojnë plot 7 miliardë banorë. Ishte fundi i vitit 1999 kur festuam, me pak frikë, lindjen e “fëmijës së fundshekullit”, banorit numër 6 miliardë.

Në vitin 1960 kishte lindur babai i atij fëmije, banori numër 3 miliardë. Në më pak se gjysmë shekulli, numri i banorëve të Tokës është dyfishuar, për shkak të lindjeve të shumta (9 mijë lindje në orë, 220 mijë çdo ditë). Sipas raportit të ri të Institutit Kombëtar të Studimeve Demografike, shumë prej ndryshimeve sociale me të cilat duhet të përballemi dhjetë vitet e ardhshme janë të paparashikueshme, si për shembull që do të vazhdojmë të plakemi më shumë dhe do të jemi më të shëndetshëm.

Jetëgjatësia do të rritet edhe më shumë falë përmirësimit të kushteve materiale dhe progresit të mjekësisë që do të përhapet edhe në vendet më të varfra. Aksidentet do të bëhen një prej shkaqeve kryesore të vdekjes, pas atakut kardiak dhe kancerit në mushkëri. Por në këmbim do të kemi një botë ku, për herë të parë në historinë e njerëzimit, të moshuarit do të jenë më shumë në numër se të rinjtë.

Në 1950-ën, në vendet e zhvilluara popullsia nën moshën 15-vjeçare ishte 16 për qind më e lartë se 60-vjeçarët. Sipas llogaritjeve të Institutit Kombëtar të Studimeve Demografike, brenda vitit 2019 kurba e fëmijëve nën moshën 5-vjeçare do të zbresë nën atë të të rriturve.

Ndryshimi i “piramidës demografike” duket i pashmangshëm. Femrat e shekullit XX kanë filluar të bëjnë më pak fëmijë, fillimisht në Perëndim, ndërsa tani edhe në Lindje, si në Kinë, Indi apo disa shtete afrikane. “Në çdo vend të botës numri i lindjeve është zvogëluar dhe plakja demografike procedon shumë shpejt”, thotë Gilles Pison, autor i studimit francez. Çdo muaj, 870 mijë persona mbushin 65 vjeç, pra hyjnë në të ashtuquajturën “moshën e tretë” dhe shpresojnë që të arrijnë edhe të katërtën. Në vitin 2040, numri i 65-vjeçarëve do të dyfishohet, nga 7 për qind do të arrijë në 14 për qind. E dhëna më interesante është ajo e 80-vjeçarëve, që gjatë 30 viteve të ardhshme do të rritet 233 për qind. Në të njëjtën periudhë, numri i të rinjve nën moshën 15-vjeçare do të rritet 6%.

Fëmijët tanë do të jetojnë në një botë pa vëllezër dhe kushërinj, vetëm me katër gjyshërit dhe ndonjë stërgjysh. Nëse do të vazhdojnë të rrinë pa punë deri në moshën 30-vjeçare dhe të dalin në pension 60 vjeç, do të jenë brezi i parë në historinë e njerëzimit që ka kaluar më shumë kohë duke pushuar, sesa duke punuar. Ndoshta qytetet do të kenë më pak shkolla dhe më shumë qendra kushtuar akomodimit të të moshuarve. Ky ndryshim social do të ketë pasoja ekonomike për qeveritë. Në vendet perëndimore, 45 për qind e burimeve publike, ku përfshihen pensionet, asistenca dhe ilaçet, shkojnë për më të moshuarit e popullsisë. Ky transferim është i destinuar të rritet, duke vënë në një provë të fortë solidaritetin mes brezave.

Në mënyrë të pashmangshme, familja horizontale do të zëvendësohet nga ajo vertikale, ku të moshuarit do të shpenzojnë para dhe kohë të lirë për t‘u kujdesur për nipërit, dhe shpesh për të ndihmuar fëmijët në punë.

Por jo gjithçka mund të parashikohet. Demografia nuk është një shkencë ekzakte. Mjafton të kujtosh njoftimin e bërë në vitet ‘80, që numri i banorëve në Tokë në vitin 2050 do të arrinte në 15 miliardë, ndërkohë që sot parashikimet e instituteve të mëdha thonë se numri do të jetë 9 miliardë. “Revolucioni demografik që ka ndryshuar pamjen e planetit, ka nisur në fillim të shekullit XX, thotë demografi francez Pison. Ndryshimi ka filluar gjatë viteve 1965-‘70, kur popullsia rritej 2 për qind në vit. Sot kemi rënë në 1,33% dhe në vitin 2050 rritja demografike botërore do të ndalë në 0,3%, pikë, nga ku mund të fillojë të zbresë”.

Fakti që popullsia do të arrijë në 9 miliardë në vitin 2050, të ngjall frikë. “Sigurisht që janë të dhëna të cilat të bëjnë përshtypje, por jo për faktin ekologjik, sepse Toka është një planet i pasur dhe teknologjitë na ndihmojnë të krijojmë mirëqenien. Ajo që na shqetëson më tepër është shpërndarja e burimeve, e cila duhet të ndryshojë medoemos”, thekson një studiuese. Ajo që do të shohim ne, fëmijët dhe me siguri nipërit tanë, është një botë e përmbysur edhe nga një pikëpamje gjeopolitike. Në fillim të shekullit XXI, raporti europianë-afrikanë ishte dy me një, ndërsa në vitin 2050 do të jenë tre afrikanë me një europian. Eritra do të ketë më shumë banorë se Rusia. Numri i amerikanëve do të arrijë në 440 milionë, por do të jenë shumë pak para 1,74 miliardë banorëve të Indisë, që ndërkaq do t‘ia ketë kaluar edhe Kinës (1,43 miliardë). Nga pikëpamja demografike, numri i europianëve do të jetë gjithnjë e më i vogël. “Kemi vënë re një rritje të numrit të lindjeve. Kjo është një surprizë e vërtetë”, thotë studiuesi. Gjatë dy viteve të fundit, mesatarja e lindjeve në Europë është rritur nga 1,5 në 1,6 për qind dhe në vende si Britania e Madhe, Spanja dhe Greqia, ka pasur një rritje të konsiderueshme të numrit të lindjeve. Mes viteve 2015-2020, demografët parashikojnë një rënie të vogël të numrit të lindjeve në vendet perëndimore. Në fakt ky është momenti kur do të vdesin pjesa më e madhe e brezit që ka lindur në vitet 1946-1964.

, , ,