RSS

Kriza, Gjermania miraton një plan të ri shpëtimi

06.10.2008

Biznes & Ekonomi

Ministria gjermane e Financave ka rënë dakord për të miratuar një paketë të re shpëtimi për një prej firmave më të madhe kreditore të vendit, Hypo Real Estate.

Marrëveshja që u arrit me bankat private ka një vlerë prej 70 miliard dollarësh, 40 për qind më shumë sesa përpjekja e parë për të shpëtuar firmën, e cila u rrëzua ditën e shtunë.

Ministri gjerman i Financave, Torsten Albig, u tha gazetarëve se taksapaguesit nuk do të liheshin të paguanin paratë për planin e shpëtimit.

“U vendos që industria private financiare do të sigurojë 15 miliard të tjera, kurse Federata thotë se qëndron tek garancia për 35 miliard.”

“Kjo është një zgjidhje e mirë që do të ndihmojë Hypo Real Estate dhe nuk do t’i kushtojë taksapaguesve para të tjera,” tha ministri.

Në përpjekje për të rivendosur besimin në sistemin e trazuar bankar gjerman, qeveria njoftoi më herët garanci të pakufizuara për të gjitha kursimet në llogaritë bankare private.

Austria dhe Danimarka ndoqën të njëjtin shembull. Një garanci të ngjashme dha javën e kaluar edhe qeveria irlandeze.

Masa për krizën

Banka franceze, BNP Paribas, ka rënë dakord të blejë 75 për qind të operacioneve në Belgjikë dhe Luksemburg të grupit financiar Fortis. Marrëveshja do të krijojë një prej bankave më të mëdha të kontinentit.

Qeveritë e Belgjikës dhe Luksemburgut do të marrin një pjesë të vogël aksionesh në BNP Paribas.

Dega holandeze e kompanisë Fortis është shtetëzuar nga qeveria holandeze.

Qeveria islandeze, thotë se bankat më të mëdha të vendit kanë rënë dakord për masa që kanë si qëllim të stabilizojnë sistemin financiar, pasi një serie bisedimesh mararatonë që zgjatën deri natën vonë.

Bankat do të shesin pjesë të aseteve të tyre të jashtme dhe do të sjellin para në Islandë.

Qeveria nga ana e saj do të përpiqet që të bindë sindikatat e pensioneve që të riatdhesojnë një pjesë të aseteve të tyre.

Ka shpresa që plani i shpëtimit do të ndalë rënien e vlerës së monedhës që javën e kaluar ra me një të pestën kundrejt dollarit.

Që kur plani amerikan i shpëtimit u kalua të premten, tregjet në Azi kanë shënuar një rënie të thellë.

Indeksi Nikkei në bursën e Tokjos ra gati 3 për qind dhe bursa në Seul me gati 4 për qind. /BBC/

, , ,