RSS

Evitoni varësinë ndaj internetit (Këshilla për prindër)

Ndaj varësisë së internetit janë të dhënë personat e mbyllur dhe të pikëlluar. Ata janë të pasigurt, lehtë shqetësohen dhe pikëllohen për mossuksesin më të vogël.

A është normale që fëmija që është kthyer nga shkolla, menjëherë të ulet pranë kompjuterit dhe të fillojë të surfojë në internet?
Prindërit shpesh i mundon dilema nëse te fëmijët e tyre, krijohet varësia ndaj kompjuterit dhe sa liri t’u japin në këtë interesim.

Psikologët thonë se varësia ekziston nëse fëmija kalon më shumë se katër orë në ditë para kompjuterit. Për fat, varësia ndaj rrjetit nuk është aq e përhapur dhe përfshin vetëm dy-tre për qind të përdoruesve.
Të gjithë ata kanë karakteristika specifike të personalitetit. Ndaj varësisë së internetit janë të dhënë personat e mbyllur dhe të pikëlluar. Ata janë të pasigurt, lehtë shqetësohen dhe pikëllohen për mossuksesin më të vogël. Përveç kësaj, ata zakonisht janë me disponim armiqësor ndaj të tjerëve dhe vazhdimisht janë të pakënaqur me rrethin e tyre.
Adoleshentëve që janë të varur ndaj internetit, më shumë u nevojitet mbështetja emocionale, sesa atyre që bëjnë pjesë në atë të ashtuquajturin grupi i rrezikshëm.
Mirëpo, në jetën reale, ata nuk hasin në shokë të cilët do t’i dëgjojnë apo thjesht do të kalojnë kohën me ta.
Ndërsa në internet është më e lehtë të gjejnë mbështetje dhe të ndajnë me të panjohurin të gjitha ato që i mundon.
Ikja nga vetmia
Cilët janë faktorët e varësisë? Kryesori është pranimi i internetit si mjedis i cili mund t’ju ofroj mbështetje morale. Disa fëmijë nuk arrijnë që ta fitojnë këtë mes bashkëmoshatarëve të tyre. Adoleshentët e varur nga interneti nuk dinë të flasin rreth ndjenjave të tyre. Për këtë, shpesh fajtore është familja. Në familjet në të cilat prindërit janë tepër të preokupuar me punë dhe kurrë nuk janë në shtëpi, mbretërojnë marrëdhënie jo të sinqerta dhe formale.

Ata nuk kanë kohë që ta dëgjojnë fëmijën dhe as t’u ofrojnë vëmendjen e duhur. Fëmija fillon të ndjehet i lënë pas dore apo i izoluar, ndërsa në moshën më të rritur nuk ngurron që të vërë lidhje të thella miqësore me bashkëmoshatarët e tyre. Për fëmijët e tillë, interneti paraqet mundësinë e vetme që të vendosë kontakte më të afërta dhe të jetë i kuptuar.

Rregullat e sigurisë
Psikologët thonë se ekzistojnë masa të caktuara të cilat mund të ndërmerren për ta penguar formimin e varësisë:
– merruni vesh me fëmijën se sa kohë mund të kalojë para kompjuterit;
– kohë pas kohe, merruni vesh që në vend të kompjuterit, të shfrytëzojë ndryshe kohën e lirë (dërgojeni në kinema apo thjesht në shëtitje);
– caktoni rregullin për vikend, p.sh. nuk ka ulje para kompjuterit;
– caktoni dënime për padëgjueshmëri dhe mosrespektim të asaj për të cilën jeni marrë vesh.

Këto masa nuk mund t’u ndihmojnë adoleshentëve, të cilët vuajnë nga varësia e tepruar psikologjike ndaj kompjuterit, sepse kërkojnë vetë-kontroll, që te të rinjtë është e zhvilluar dobët. Shumë më efikas është një qasje më komplekse, e cila shpesh nënkupton ndihmën e psikologut dhe natyrisht ndihmën e të gjithë anëtarëve të familjes.

Shenjat e varësisë virtuale te fëmija:
– Fëmija në të gjitha mënyrat eviton kryerjen e detyrave të shtëpisë dhe kohën e tij të lirë e kalon para kompjuterit;
– kompjuteri është më i rëndësishëm se shoqërimi me prindër dhe moshatarë;
– fëmija nuk ka libër të preferuar, nuk ka argëtim tjetër, përveç kompjuterit;
– koha e kaluar para kompjuterit, e tejkalon kohën të cilën fëmija e kalon në aktivitete të tjera (mësim, dalje jashtë, shoqërim);
– ndalimi për të luajtur lojëra në kompjuter, shkakton protesta, vaj, britma, por edhe agresion.  /Kosova Sot/

, , ,