RSS

Eastwood nderohet në një gala ngjarje të Hollywood-it

Aktori legjendar i shndërruar në regjisor, Clint Eastwood, u shpërblye me çmimin “Regjisori i vitit në Hollivud” në ceremoninë e shpërblimeve hollivudiane. Kjo ceremoni u mbajt në natën finale të Festivalit të përvitshëm të Filmit në Hollywood. Eastwood u nderua për punën e tij në filmin “Changeling”, ku aktorja Angelina Jolie luan rolin e një nëne në kërkim të djalit të saj të zhdukur.

Përgjatë viteve të fundit katër filma të punuar nga Eastwood-i janë nominuar me Oskar në kategoritë “Filmi më i mirë” dhe “Regjisori më i mirë”, ndër ta: “Unforgiven” (1992), “Mystic River” (2003) “Million Dollar Baby” (2004), dhe “Letters From Iwo Jima” (2006). Eastwood ka fituar disa çmime Oskar për filmat “Unforgiven” dhe “Million Dollar Baby”.
78 vjeçari, që më së miri njihet për rolet e mashkullit të fuqishëm, dukej shumë i gëzuar teksa përshëndeste gazetarët mbi qilimin e kuq. Ai, gjithashtu, pozoi shpejt për fotografët e pranishëm para se të hynte në vendin ku po zhvillohej gala ngjarja.

Aktori Dustin Hoffman mori çmimin për arritje në karrierë për disa projekte filmike, teatrale dhe televizive, të cilat i ka realizuar gjatë karrierës së tij 50 vjeçare. Hoffman u shpreh se dikush i ka thënë se është duke hyrë në një fazë të re të jetës së tij.

Regjisori Ron Howard ka thënë se është propozuar që t’i prezantojë disa shpërblime një grupi të redaktorëve të filmave, të cilët kanë punuar për të më shumë se 20 vjet. Ai lavdëroi ceremoninë e shpërblimeve për këtë organizim të mahnitshëm, i cili është shndërruar në një ngjarje e cila mbledh yjet më të mirë të vendit.

Aktorja britanike, Kristin Scott Thomas, u shpërblye me çmimin “Aktorja e vitit në Hollywood”, për rolin e saj në filmin “I’ve Loved You So Long”. Thomas ka lindur në Angli, por mban nënshtetësi franceze, jeton në Paris dhe flet rrjedhshëm gjuhën franceze.

Ndërkohë, ylli i filmit W. Josh Brolin ishte fitues i çmimit “Aktori më i mirë i vitit”. Brolin tha se filmi i ka mundësuar ngritje në karrierën e tij prej aktori. Në këtë film aktori portretizon presidentin e 43-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush.

Shakaxhiu Ben Stiller u tregua shumë serioz derisa tregonte arsyet e pjesëmarrjes së tij në këtë ngjarje.

Aktori James Franco, i cili njihet për punën e tij në filmat “Spiderman”, u nderua me çmimin “Hollywood Breakthrough Actor”.

Shpërblimet hollivudiane bazohen në nderimin e personave apo punëve në filma të posaçëm, të cilët janë lansuar vitin përkatës. Disa thonë se kjo ceremoni ndihmon të shpërblyerit të konsiderohen si favoritë për shpërblimet kryesore të kinematografisë, që janë oskarët. Në 5 vjetët e fundit, rreth 54 nominime për Oskar dhe 16 shpërblime sosh, u janë dhënë filmave të cilët janë nderuar gjatë ceremonisë ”Hollywood Film Festival”. /Koha Vision/

, , , ,