RSS

Cilësia e jetës, Shqipëria renditet e 66 nga 194 vende

22.05.2009

Kuriozitete, Shoqëri

tiranaShqipëria renditet e 66 ndër vendet ku preferohet të jetohet. Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka bërë përparime, pasi vjet renditej e 75-ta në listë.

Ndërkohë që për të katërtin vit radhazi në krye të listës renditet Franca, në Renditjen e Cilësisë së Jetës mes 194 vendeve nga e gjithë bota.

Në renditje merren parasysh vendet rreth botës ku mund të jetohet më lirë, të paguhen më pak taksa, të ketë mot më të mirë, të merren avantazhe nga mundësitë në tregjet e reja, vende ku mund të fillohet një jetë e re, një biznes apo të kalohet pensioni. Për të arritur në vlerësimet për secilin vend merren parasysh nëntë kategori: kosto e jetesës, kultura dhe koha e lirë, ekonomia, ambienti, liria, shëndeti, infrastruktura, siguria e rreziku, dhe klima.

Të dhënat merren nga shumë faqe të zyrtarizuara si adresat qeveritare, të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetit, gazeta “The Economist” e shumë të tjerë. Sapo merren të dhënat analizohen në terren nga korrespondentët e agjencisë për çdo vend, në mënyrë që të kuptohet se sa reale janë ato.

Shqipëria nuk shikohet më në hartë si një ‘njollë e zezë’ për të jetuar. Sipas të dhënave më të fundit, krahasuar me një vit më parë, vendi ka bërë përpara për sa i përket cilësisë së jetës. Kosto e jetës ka fituar 68 pikë, ndërkohë që një vit më parë ishte 55 pikë. Për sa i përket treguesit të rrezikut dhe sigurisë së jetës në vend ai nuk ka bërë përpara, përkundrazi ka mbetur në vend numëro me një vit më parë, duke qenë kështu 64 pikë. Në të njëjtin nivel ka qenë edhe treguesi i lirisë me 67 pikë. Të ardhurat dhe kultura për këtë vit janë vlerësuar me 59 pikë, ndërsa një vit më parë me 65 pikë. Ndërsa numri total i pikëve për këtë vit është 60, duke pësuar një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë.

Gjithsesi është shumë e rëndësishme që Shqipëria nuk shikohet më si një i padëshirueshëm për të jetuar. Në renditje Shqipëria ka lënë vende pas si Maqedonia, Bolivia etj, çka do të thotë se në Shqipëri nuk është më e vështirë për të nisur një jetë të re. /Gazeta Panorama