RSS

60 për qind e popullatës së botës posedojnë celularë

06.03.2009

Teknologji

Përdorimi i telefonave celularë është rritur dukshëm gjatë shtatë viteve të fundit, derisa numri i parapaguesve në botë ka kërcyer nga një miliard në vitin 2002 në 4.1 miliardë në fund të vitit të kaluar, thuhet në një raport të lëshuar nga Kombet e Bashkuara.

Vala befasuese e përdorimit të telefonave celularë është shënuar në shtetet në zhvillim, ku tani celularët janë pajisje më të adhuruara në mesin e botës së varfër. Në Afrikë, për shembull, 28 për qind e popullatës aktualisht posedojnë celularë, derisa para nëntë vitesh kjo shifër ka qenë vetëm dy për qind. Në anën tjetër, shtetet në zhvillim përbëjnë madje dy të tretat e përdoruesve të telefonave celularë.

Besohet se arsyeja kryesore e blerjes së madhe të celularëve është paraqitja e shërbimit për transferim të parave i cili u mundëson njerëzve që pa shkuar në bankë t’i dërgojnë dikujt para me anë të porosive SMS.

Në raportin e organizatës së Kombeve të Bashkuara po ashtu theksohet se përdorimi i internetit është dyfishuar, derisa të dhënat e fundit flasin se një nga pesë përdorues apo 23 për qind e popullatës së botës kanë qasje në internet. Megjithatë, vendet e varfra edhe më tutje mbesin prapa kur interneti është në pyetje.

Suedia është shteti më i avancuar kur bëhet fjalë për përdorimin e teknologjive komunikuese dhe të informacionit. Pasojnë Koreja e Jugut, Danimarka, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania dhe Japonia.

Në Birmani është shënuar trendi më i madh i rritjes së përdorimit të internetit. Megjithatë, qeveria ushtarake e Birmanisë ka ndaluar përdorimin e internetit të cilin shpesh e përdorin grupet disidente, derisa blogerët i ka dërguar në burg.

Në anën tjetër, e ashtuquajtura “ndarja digjitale” në mes të varfërve dhe të pasurve ka mbetur e pandryshuar në periudhën prej vitit 2002 deri në 2007.

Ekspertët e KB-së parashohin se recesioni global do të ndikojë edhe në zhvillimin e teknologjive telekomunikuese në mbarë botën. /BS/